Nga: Denata Toçe
Pse është e rëndësishme të flisni nëse dikush ju kërcënon, bën presion?! Nuk duhet të kini frikë apo turp për të folur. Disa këshilla se si të merrni guximin dhe të flisni menjëherë me dikë, në rast se dikush ju kërcënon. (I referohemi përdhunimeve dhe detyrimit të kryerjeve të marrëdhenieve seksuale me anë të presionit).
Kur i referohem kontekstit në Shqipëri, mendoj se fëmijët e vegjël dhe më pas adoleshentë, nuk janë mësuar të ndajnë me të tjerët informacione rreth ndjenjave të tyre. Prindërit kryesisht interesohen se si dolën në shkollë, pa u kujtuar apo kujdesur të pyesin se si u ndjetë në shkollë sot? Do të doja shumë t’i thërrisja prindërit në reflektim për të mësuar më shumë rreth ndjenjave të fëmijëve si me veten, por ashtu edhe me situatat, ngjarjet dhe të tjerët. Lëndimet më të mëdha vijnë prej marrëdhënies me të tjerët, sidomos në moshën e paraadoleshencës dhe adoleshencës. Kështu, fëmijët do ta kenë më të lehtë të tregojnë se çfarë po ndodh në jetën e tyre.
Fëmijët, të mbërthyer nga tabutë e shoqërisë sonë, që ngjallin shumë turp dhe ndëshkim, nuk e mendojnë se kanë të drejtë të denoncojnë akte të turpshme që u ndodhin atyre, edhe pse dhimbja dhe dëmtimi është shumë i madh. Gati duke menduar se nuk e meritojnë ta bëjnë një gjë të këtillë. Ata ndjehen në faj për turpin që ka ndodhur, edhe pse paradoksalisht, faji nuk është i tyre. Frika më e madhe pra, është turpi. Por nëse që herët, prindërit do të kujdeseshin që t’i mësonin fëmijëve se sa shumë vlerë kanë ata në sytë e tyre, se sa shumë vlerë ka trupi i tyre dhe se askush nuk ka të drejtë ta prekë atë, edhe sikur t’i bëjë atyre frikë, do të kishim shumë të tepër fëmijë që do të reagonin në kohë ndaj ngacmimeve të këtilla, kaq të dhimbshme.
Prindër dhe adoleshentë, mësoni në këtë artikull disa elementë të rëndësishëm, për të mos rënë pre e abuzimit:
Mësoni mbi pjesët e trupit dhe se disa prej tyre janë private – prindërit që herët duhet t’u mësojnë fëmijët pjesët reale të trupit, t’u flasin për to me emrat që u takojnë, “zogu” “rrushi” “gjethja” apo “kallamistri” nuk janë emrat e tyre të vërtetë. Kështu fëmija do të ketë turp t’i dëgjojë kur të tjerët t’i përdorin dhe ndonjëherë edhe frikë nga turpërimi. Me kalimin e viteve, shtroni informacionin rreth tyre, se si ato ndryshojnë në paraadoleshencë, rreth hormoneve, format dhe madhësia e trupit. Flituni për procesin e gudulisjes që mund të ndiejnë fëmijët e vegjël në organet e tyre dhe kënaqësisë që mund të ndjejnë në moshë më të madhe. Mos harroni t’i flisni për masturbimin, sidomos kur fëmijët kanë pyetje. Sigurisht, që ky proces ka një arsye pse bëhet në privat, por mos i ndëshkoni fëmijët që kapen duke e bërë këtë akt. Kështu, ju i drejtoni drejt turpit.
Tregojini kufinjtë e trupit të tyre
Fëmija do të duhet të mësojë me zë të lartë se ASKUSH nuk ka të drejtë që të prekë pjesët e tyre private dhe dikush t’i kërkojë atyre t’i prekin të atyret. Që kur fëmijët fillojnë të jenë të pavarur, mësojini të lahen vetë në pjesët private pasi as ju nuk keni të drejtë t’i prekni ata. Kështu fëmijët mësojnë se çfarë është e tyrja, duke mos i mësuar se është turp, por duke i treguar se është pjesa e tyre e trupit dhe se ju i respektoni. Ju adoleshentë, duhet të mësoni se askush nuk mund t’ju kërkojë të prekni pjesët e tyre të trupit dhe të prekin pjesët tuaja të trupit.
Sekretet mbi trupin tuaj nuk janë të mira
Ju të dashur adoleshentë dhe prindër, duhet të mësoni se pjesa më e madhe e abuzuesve u kërkojnë fëmijëve që ta mbajnë sekret mes tyre abuzimin. Abuzuesit ndonjëherë afrohen miqësisht ose duke krijuar marrëdhënie me ju. Ose mund të kërcënojnë se nëse do të tregoni, atëherë do të keni telashe shumë të mëdha, ndaj ky është “sekreti ynë!” Ata kanë frikë se po t’i thoni dikujt do të mund t’i gjëjë ndonjë gjë e keqe. Ndaj, ju duhet të tregoni çdo gjë që ju ndodh.
Sekretet mbi ngacmimin e trupit tuaj, janë me rrezik vetëm për lëndimin tuaj. Merrni kurajo dhe mësoni që nuk do të ndëshkoheni prej askujt nëse do të tregoni. Dhe ju të dashur prindër, mësoni se asnjë fëmijë nuk duhet të ndëshkohet për ngjarje që nuk janë në dorën e tyre.
Mësojini fëmijët që të mos fotografojnë pjesët e trupit të tyre
Fotografimi dhe dërgimi i fotove personale të të tjerëve mund të jetë shumë e rrezikshme. Mësojani fëmijëve këtë. Ndonjëherë është cool të dukeni sexy në foto me bikini apo të tregoni pjesë të trupit duke marrë komplimente, por mos harroni se rreziku që fotot të bëhen virale ose faktor kërcënues, është shumë i madh, ndaj bëni kujdes.
Mësoni së bashku se si mund të shpëtojë fëmija nga një situatë e rrezikshme.
Sa herë që dikush ju kërkon një gjë të papërshtatshme në raport me trupin tuaj, mësoni të largoheni duke i kërkuar se duhet të shkoni në tualet. Ndoshta e keni me shumë zor të thoni jo, pasi ndodh që personat që ju kërkojnë një gjë të këtillë të jenë të afërmit tuaj. Por, ju keni të drejtë të thoni “JO!”
Fëmijët dhe prindërit mund të krijojnë një fjalë-kod për të dalë nga situatat e pakëndshme.
Nëse abuzuesit janë të afërmit, por edhe njerëz të panjohur që rastisin në jetën e fëmijës, mësoni një fjalë kod që ia komunikoni njëri-tjetrin, për të identifikuar rrezikun sa më parë. Ka shumë fëmijë të cilët shkojnë për të fjetur tek familjet e shokëve dhe hasin ngacmime të papërshtatshme. Nëse fëmijët kanë një fjalë kod, ia komunikojnë prindërve në telefon dhe ata menjëherë vijnë të mbrojnë fëmijën, duke i larguar nga vëndi.
Së fundmi, komunikojini fëmijës suaj se këto rregulla janë të aplikueshme jo vetëm për njerëzit që nuk njohin, por edhe për ata që njohin dhe për fëmijët (shokët, shoqet apo të tjerë të panjohur). Ju mund të ndihmoni veten tuaj dhe shokët tuaj, nëse lëndimet apo kërcenimet e marra, qoftë edhe për gabimin tuaj, t’i denonconi në kohë. Prindi edhe pse mund të ketë pak informacion, do të mbrojë deri në fund fëmijën e tij. Sa më herët të mbështeteni tek prindërit, aq më herët do të fitoni siguri dhe forcë për ta parandaluar përkeqësimin e situatës.