Valer Pinderi, është themelues i Aladin.al dhe administrator i kompanisë Nettrade Albania shpk. 34- vjeçari i cili sfidoi veten, mposhti frikërat dhe u kthye në një histori suksesi, ku me shumë ide dhe pak para, punësoi veten dhe mbi 720 persona.
Titulli: Mposhtini frikërat me Valer Pinderin!
I dashur Valer,
Doja të të shkruaja për diçka që kam kuptuar 20 vjet pasi kalova moshën 13-vjeçare, për të të shpjeguar se çfarë mund të bësh më mirë.
Në radhë të parë të përgëzoj për atë vullnetin që gjete dikur për të provuar eksperienca të reja dhe më e rëndësishmja për testimin e gjërave që kishe frikë. Kjo aftësi të cilën as sot nuk e kuptoj se ku e gjete, por të bëri një njeri që s’ka frikë nga pothuajse asgjë në të përditshmen e tij dhe të provojë çdo eksperiencë të mundshme, duke zbuluar drejtime që as nuk i imagjinonte në atë kohë. Kjo tendencë që kishe në fillim nuk e kuptoja dhe miqtë apo familja prirej të ta frenonte, sepse shpesh bëje veprime jo shumë të zgjuara
në pamje të parë, por që ishin gjëja më e mirë që mund të bëje, sepse kjo të bënte të kaloje frikërat që të kushtëzonin jetën në disa forma.
Më kujtohet kur eksploronim tunele me pishtarë pa dritë, një eksperiencë totalisht idiote në sytë e të gjithë të tjerëve, por ajo eksperiencë më bëri të mos kisha asnjëherë frikë nga errësira apo vende të braktisura. Kujtoj gjithashtu rastet kur rrinim në ndërtesa të larta dhe përjetonim frikën e lartësisë, edhe pse dukej çmenduri dhe pa kuptim ajo ndryshoi gjithë jetën time, sepse më hoqi frikën nga lartësia. Dhe kështu çdo frikë që mësoja se kisha dhe më ndikonte në jetën time arrita ta kaloj, por më e rëndësishmja, pikërisht nga ajo sjellje kur ishe 13 vjeç mësove si të kaloje çdo frikë.
Frika e fundit që kisha ishte të dilja në kamera dhe instikti që mbajta kur isha 13 vjeç më bëri të vendos të hap një kanal Youtube që të bëj një video në javë, e di, totalisht sjellje adoleshenti, por është ajo që bën botën të ecë përpara.
Në rradhë të dytë dhe më e rëndësishmja, doja të të thoja që çmenduria më e madhe që bëre dhe më ndikoi gjithë 20 vitet e tjera ishte ajo, tendenca dhe kënaqësia që kishe për t’u rritur. Nuk e di se ç’pate në atë moshë, por të siguroj që ishte e kotë. Tani dua të jem sërish i vogël dhe të shijoj çdo gjë që kam, por
nuk mundem, sepse kam marrë aq shumë përgjegjësi sa s’kam më kohë të luaj dhe të shijoj jetën në maksimum. Ai koncepti që duhet të ndalojmë lojrat më trishton kur e mendoj, sepse tani që jam drejtues i një kompanie me 30 veta, vë re që forma më e mirë për të mësuar stafi i të rriturve, është duke luajtur dhe duke sfiduar veten, por ngaqë ndaluam kaq shpesh veten nga të luajturit sepse donim të rriteshim, nuk jemi më aq të aftë për të luajtur sërish.
Ajo tendenca për tu rritur na bëri të marrim në konsideratë gjykimet e njerëzve, sidomos atyre me influencë, si artisët e momentit apo gangsterët e lagjes. Në fakt nuk morëm parasysh vetëm gjykimet e tyre, por edhe të gjithë të tjerëve, duke na bërë të humbasim pjesën më të madhe të burimit të lumturisë,
lirinë nga gjykimi i të tjerëve. Kjo liri nuk vjen nga mos interesi i gjykimit të të tjerëve, por nga besimi që nuk janë mendimet e të tjerëve më të vlefshme se ndjenjat dhe vizioni ynë.
Lejimi i këtyre gjykimeve, sa më shumë që rritesha aq më problematike bëhej dhe tani që e kam kuptuar, jam i bindur që njerëzit janë të programuar të japin mendime për çdo gjë, edhe kur shumicën e rasteve e kanë totalisht gabim apo s’kanë kompetencën për ta bërë. Kjo tendenca për tu rritur të bën të fokusohesh në gjërat që do doje të kishe dhe jo në ato që ke, dhe këtu fillon problemi. Nëse fokusohesh në gjërat që do doje të kishe, ti gjithmonë nuk do jesh mjaftueshëm mirë, mjaftueshëm i zgjuar, por nëse fokusohesh në ato që ke, ti do kuptosh që ke mjaftueshëm çfarë të duhet dhe çfarë di, për tu bërë kushdo që aspiron të bëhesh.
Për ta mbyllur, dua të të them se nëse ti fokusohesh tek vetja dhe çfarë të nevojitet, atëherë kupton që e vetmja gjë që të duhet për tu rritur është të mësosh. Rëndësia është tek fakti që rritja nuk vjen me moshën, por duke mësuar vazhdimisht. Prandaj, ti mos tento të rritesh, por tento të mësosh sa më shumë të jetë e mundur në çdo fushë që kërkon të rritesh.
I dashur Valer 13-vjeçar, provo çfarë të mundesh dhe aq më shumë çfarë ke frikë, mos tento të rritesh, por tento të mësosh.