Kozeta Kurti është një ndër personalitetet më të njohura të gazetarisë në vend.Ajo është e njohur si redaktore dhe përkthyese e shumë shfaqjeve teatrale dhe veprave, autore dhe moderatore e një sërë programesh radiofonike dhe televizive në disa nga mediat më të njohura në Shqipëri.
E dashur Kozeta!
Kur më ftuan të të shkruaja kur ishe 13 vjeç, nuk është se pashë ndonjë ndryshim, nëse do më kërkonin të të shkruaja në të 5-tat e tua, sepse siç edhe ti e mban mend, e ke pasur shumë të qartë se ç’doje të bëje e të bëheshe.
E mban mend kur këpusje kordonin e hekurit të nënës tënde dhe e përdorje si mikrofon, për të prezantuar këngët e një mbrëmjeje më parë të Festivalit?
Kur dilje para pasqyrës dhe recitoje me zë të lartë dhjetra vargje që t’i kishte mësuar Nana Leni, meqë nuk ke shkuar asnjë ditë në kopsht?
Kur merrje govatën e shtëpisë dhe shkarravisje me shkumësa, duke bërë si mësuese në dërrasë të zezë?
Me rritjen, asnjë prej pasioneve nuk ndryshoi.
Thjesht nise të shohësh më shumë gjëra dhe të krijosh modele konkrete. Në të 13-tat e tua, ishte shumë në modë programi i adoleshentëve “Non e la Rai” që transmetohej në Italia 1 dhe figura e prezantueses, Ambra Angiolini, u bë figura që aq shumë doje t’i ngjasoje. Fillove të ndryshoje paraqitjen, veshjen dhe u bëre me fletë, kur mësuesja jote e Gjuhës dhe Leximit sugjeroi emrin tënd për të prezantuar koncertin e grupit artistik të shkollës me rastin e festave të fund vitit.
Atë pasdite u pikase nga drejtuesit e Drejtorisë Arsimore Rajonale të qytetit të Durrësit (asokohe sigurisht as që e dije çfarë ishte Drejtoria Rajonale) dhe së shpejti të morën për të drejtuar një koncert për të gjithë fëmijët e qytetit.
Këtu e vendose, pa ditur se si dhe pse, pa arsyetuar dot, që kjo do të ishte e ardhmja jote.
Fitove besim që mund të menaxhoje emocionet, mund të flisje rrjedhshëm, të pëlqente vëmendja dhe me kalimin e kohës kuptove që për të fituar fjalor me shumë fjalë, duhet të lexoje shumë.
Duke përpirë mijëra e mijëra rreshta, nise të shkruash edhe vetë, jo vetëm për arsye didaktike, siç ishin hartimet e shkollës, megjithëse këto (hartimet) ishin “duartrokitjet” e tua të para që të forcuan besimin. Unë, tani që jam afro 40 vjeç, e kujtoj shumë mirë si përkëdheleshe dhe llastoheshe kur zysh’ Entela apo zysh’ Vera të thërrisnin emrin: “Eja Kozeta të lexosh një prej tri hartimeve më të bukura të klasës”.
E dashur Kozet’ 13 vjeçare!
Unë që të njoh mirë, e mbaj mend që s’ka qenë surprizë për ty, puna e parë në radio, vetëm 15 vjeç dhe pastaj në të tëra logot e mediave më të rëndësishme në vend. Nuk ishin surprizë për ty as studimet në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në degën e Gazetarisë.
Dhe patjetër nuk është surprizë as kjo që do të të thotë tani Kozeta 40 vjeçare:
Unë vazhdoj të jem përpara një mikrofoni, në radio, televizion apo koncert.
Unë vërtet nuk shkruaj më hartime, por sot botoj dhe publikoj artikuj me fokus çështjet sociale dhe të kulturës.
Unë vërtet recitoj shumë rrallë tashmë, por ama kam vendosur në skenë shfaqje teatrale.
Unë vërtet nuk shkarravis më me shkumës në govatën e shtëpisë, por prej vitesh jap mësim dhe qarkulloj çdo vit rreth 300-400 studentë.
Unë vërtet nuk lexoj dot aq shumë sa dikur, sepse nuk kam më aq kohë të lirë, por sot përkthej libra dhe emri im gjendet sot në treg, në shumë tituj.
Unë vërtet nuk kam sot një Ambra që dua t’i ngjaj, por kam takuar plot të rinj e të reja të talentuara që duan të më ngjajnë mua.
Të gjithën këtë nuk e kujtova për ty e dashur vetja ime, as për të treguar sa e zonja je, larg qoftë të dukesh si jo modeste, por që nëpërmjet këtij rrëfimi, të jap një mesazh: mos e nënvlerësoni kurrë një fëmijë! As një fëmijë të mos e nënvlerësojë kurrë veten e vet!
Secili nga ne duhet të dëgjojë zemrën. Atje ku të shpie ajo, veç thesar gjen.
Mjafton veç me qenë i ndershëm dhe t’i ndjekësh ëndrrat dhe dëshirat pa dëmtuar e shkatërruar ato të dikujt tjetër.