Festivalet dhe koncertet me të mëdha që na presin këtë verë
Nga Enriko Paja
Vera nuk do të ishte njësoj pa muzikë, argëtim, festivale dhe shumë koncerte.
Eja zbulojmë bashkë se cilët janë festivalet dhe koncertet më të njohura që na presin gjatë verës në vazhdim.
14 gusht – “Alpha Show”
Besoj keni dëgjur shpesh këto ditë, për koncertin e Noyzit, i cili do të bëjë bashkë emrat më të njohur të muzikës Hip-hop dhe Rap, jo vetëm shqiptare, por edhe atë internacionale. I pagëzuar si “Alpha Shoë” koncerti i 14 gushtit do të organizohet në Tiranë tek Sheshi “Nënë Tereza”, e ku do të mbledhë më të mirët këngëtarë e kantautorë të trojeve shqiptare e me më të sukseshmit reperë të Europës.Pas 16 vitesh të sukseshme në karrierën e tij muzikore Noizy është gati ta realizojë këtë projekt gjigand dhe është i bindur se atë ditë aty do të mblidhen mbi 30 mijë njerëz. Dhurata Dora, Ylli Limani, Elgit Doda, Kida, Ledri Vula, Xhensila, Gue, Ghali, Sfera Basta, Krept & Konan, Raf Camora ju presim në 14 gusht për pafund atmosferë.
19, 20, 21 gusht – “Lova Fest”
Lova Fest është një festival treditor, manifestim i besimit se dimensionet kulturore, muzikore dhe sportive mund të formojnë një katalizator në transformimin dhe promovimin e Shqipërisë turistike, duke përfshirë në mënyrë aktive publikun pjesëmarrës. Organizuar përgjatë sezonit veror, në rivierën e jugut, ky festival ndërthur praktika të qëndrueshme, sporte outdoor, evente kulturore dhe argëtuese, me integrimin e bizneseve lokale dhe partnerëve, si një qendër graviteti dhe ndërveprimi që mund të çelë dhe nxisë perceptime e bashkëpunime të reja.Vitin që shkoi Lova Fest dhuroi tre ditë festival në Drimadhes, ndërsa këtë vit Lova Fest udhëton drejt Livadhit. Edicioni i II-të i festivalit, do të zhvillohet këtë vit në plazhin e Livadhit, në një gji të veçantë që do të presë aktivitetet e organizuara me shumë përkushtim. Lova Fest do të presë pjesëmarrësit me plot mundësi aventure, barkë me vela, paddle, kayak, hedhje me parashutë, scuba diving, çiklizëm, hiking, volejboll, gara noti, animim e lojra në bregdet, por edhe yoga e meditim. Ndër këto aktivitete do mund të shijoni ushqimin dhe pije nga bashkëpunëtorët tanë. Çdo aktivitet do të ekspozohet në këtë zonë, ndërsa në pjesën e gjelbëruar pas skenës do të vendosen hapësirat e akomodimit dhe kampingut. Një strukturë organike ku muzika, performancat live të artistëve dhe DJ, janë integruar me skenën dhe instalacionet, në ndërtimin e së cilës do të ndihmojnë punëtoritë e ngritura dhe artizanët. Vendosja e skenës në këtë gji të posaçëm, ngushton hapësirën midis artit, muzikës dhe jetës në natyrë, duke krijuar një ambient stimulues të ndjeshmërive të dëgjuesit, që i shtyn pjesëmarrësit drejt një sjellje të re të dashurisë për sportet dhe respektit ndaj mjedisit.
Lova Fest po iu pret. Bëjini magjike ditët tuaja, me Lova Fest!
26, 27, 28 gusht – “Sunny Hill Festival”
“Sunny Hill Festival 2022” këtë vit është përtej të qenurit special. Sunny Hill do të mbahet në Prishtinë më 4, 5, 6 dhe 7 gusht, për tu rikthyer në Tiranë më 26, 27, 28 gusht në mjediset e Parkut të Madh të Liqenit Artifivial të Tiranës.
Në Prishtinë, Sunny Hill Festival për këtë vit ka përgatitur lineup-in më të fuqishëm nga festivalet e rajonit ku përveç artistëve të njohur si J.Balvin, Dua Lipa, Diplo, Skepta, DJ Regard, AJ Tracey, Mahmood dhe artistët më të njohur shqiptarë. Nuk dihet ende nëse këngëtrët e mësipërm do të jenë ata që do të këndojnë edhe përgjatë festivalit në Tiranë.
Një verë e jashtëzakonshme i pret të gjithë shqiptarët në Prishtinë dhe në Tiranë.
6 shtator – Koncerti i Rita Orës
Rita Ora është një ndër këngëtaret shqiptare më të famshme në të gjithë botën. Mirela Koçollari, Drejtoresha e Përgjithshme e Promovimit të qytetit në bashkinë e Tiranës, ka postuar në rrjetet e saj sociale lajmin se në datë 6 shtator, në Tiranë, do të ketë një koncert të Rita Orës. Koncerti i Rita Ora parashikohet të mbahet mbrëmjen e 6 shtatorit në sheshin “Skënderbej”, në kuadër të Tirana European Youth Capital 2022.