Nga Enriko Paja
Hapja e vitit të ri akademik po afron!
Edhe pak ditë kanë mbetur nga hapja e dyerve të universiteteve, ndërkohë që studentët po kthehen nga pushimet, punët sezonale apo nga rrethet drejt Tiranës.
Tanimë që studentët po bëhen gati për nisjen e vitit të ri akademik, lind pyetja sa kushton jetesa në Tiranë për studentët ? Por, përpara se të flasim për shpenzimet e studentëve le të flasim pak për atë që shumë studentë i mundon çdo fillim viti, rritja e çmimit të qirave në stratosferë.
Çdo vit çmime gjithmonë e më të larta dhe kushte gjithmonë e më skandaloze, ky është paradoksi i shtatoreve dhe tetoreve që shoqëron çdo vit studentët.
Së bashku me stafin e “TeenThings” kontaktuam në disa nga numrat e vendosura në njoftimet e shtëpive më qira dhe ajo çka kuptuam ishte shokuese. Shumica prej tyre rezultonin të ishin të zëna e në shumë prej tyre telefoni ngrihej nga agjensitë imobilare, ku me modesti të plotë na përgjigjen për çmimet mbi 400 euro dhe për disa muaj parapagese për të marr në duar çelësat e një shtëpie.
Gjetja e një shtëpie më qira në kryeqytet është kthyer në një problem më madhor se të shpallesh fitues në degën e dëshiruar, madje kjo e fundit kalohet me më pak stres.
Të jetosh i vetëm në një shtëpi me qira as që edhe mendohet, sakaq e vetmja zgjidhje që mbetet është të ndash shtëpinë me të tjerë studentë, në këtë mënyrë arrihet të përpjesëtohet vlera e qirasë duke u bërë më e përballueshme.
Ngritja e një anketimi duke iu adresuar shumë studentëve në lidhje me shpenzimet mujore na tregoi që për shumë adoleshentë vlera e shpenzimeve mujore përkonte mbi 40.000 mijë lekë. Përveç rritjes së çmimit të qirave, rritja e çmimeve të ushqimeve në supermarkete dhe në tregje ka sjellë edhe një rritje të shpenzimeve ditore. Të paktë ishin ata që treguan për ne që shpenzimet mujore nuk e arrinin vlerën 40.000 Lekë.
Vështirësia ndër të tjera qëndron kur studentët nuk gjejnë hapësirën dhe kohën për të punuar për shkak të orareve të gjata në universitet, ndërkohë që pjesa e studentëve të cilët ishin të punësuar deklaruan që paga e tyre mujore ishte më e ulët se shpenzimet e tyre mujore.
Epo, nuk besojmë që ky do të jetë shtatori apo tetori i fundit ku studentët të orvaten për të gjetur një shtëpi më qira apo për të përballuar me vështirësi shpenimet mujore. Pranë nisjes së një viti akademik me më pak studentë se viti i kaluar situata mbetet po aq emergjente duke vënë në vështirësi dhe në pikëpyetje shumë familje në lidhje me mundësinë për të dërguar në universitet fëmijët e tyre.
Na shkruani rreth vështirësisë suaj për të përballuar shpenzimet mujore apo për gjetjen e një shtëpie më qira në kryeqytet.
Welcome!