Familja. Aty ku formohet një pjesë e karakterit tënd, aty ku jepet dhe merret dashuria, edukata, mësimet e para ose thënë ndryshe: shkolla e parë. Aty ku të gjithëve na bashkon një gjë: Dëshira për të pasur një jetë dhe një familje të shëndoshë e të lumtur.
Komunikimi është çelësi i gjithçkaje .
Mirëpo si arrihet kjo gjë në fazën e adoleshencës, ku kemi të pranishëm një shpërthim emocional e një valë hormonesh të çmendura?
Të ndalemi pak tek marrëdhënia prind – adoleshent.
A kanë arritur prindërit sot të ndërtojnë një urë komunikimi me fëmijët e tyre adoleshentë? A ndihen gati adoleshentët të diskutojnë dhe të shprehen me prindërit e tyre për atë çka po ndodh në botën e zhurmshme dhe të bukur njëkohësisht që i rrethon?
Sa hap e mbyll sytë vjen momenti ku shfaqen ndjenjat e dashurisë së parë, të cilat vështirë se kontrollohen. Vjen dëshira për të pasur një jetë të pavarur. Vijnë momente të mërzitura ku thjesht do të rrish mbyllur në dhomë. Krevati duket i vetmi vend i ngrohtë e i sigurt nga bota e egër jashtë. Aty fillon të turbullohesh: Me kë duhet të shprehem, a janë prindërit e mi njerëzit e duhur për të folur?
Përgjigjja është e thjeshtë: PO, duhet. E di, ndihesh konfuz. Pyeti veten nëse do të të kuptojnë apo jo dhe si do të jetë reagimi i tyre. “Po nëse mërziten me mua dhe më bërtasin? Po nëse më dënojnë?” janë disa nga pikëpyetjet që të vërtiten në kokë.
Por, me prindin duhet folur hapur për çdo shqetësim apo peshë emocionale, duke gjetur mënyrën e duhur të komunikimit.
Më poshtë do të flasim për llojet e reagimeve të prindërve kur i tregon një “sekret” bazuar në karakterin e tyre.
Dëshiron të flasësh për djalin që të pëlqen.
Ke një prind të qeshur e të dashur me të gjithë?
Jam e sigurt që duhet t’i tregosh pa ngurrim, pasi pozitiviteti i tyre do të të japë mbështetje patjetër.
Prindi është i ftohtë, por edhe i kuptueshëm.
Mund ta nisësh, duke e bërë bisedën më gazmore, duke pyetur për adoleshencën e tyre dhe pëlqimet para njohjes së tyre.
Jam e sigurt që do të krijohet një situatë gazmore dhe ju do keni mundësinë të flisni më hapur dhe qartë pa u shqetësuar më se çfarë do të mendojnë apo thonë ata.
Ke mami strikte dhe nevrike.
Komunikimi në këtë rast është pak më i vështirë, por jo i pamundur. Një nënë e rreptë s’ preferon që në këtë moshë fëmija të ketë ndjenja e pëlqime, por që të fokusohen më shumë te shkollimi, prandaj pa dashur harrojnë gjërat e bukura që ndodhin në botën e tyre.
Në këtë rast është mirë ta “korruptosh”. Gjej dikë të afërt, që të kupton më mirë, mbase një teze që ka një fëmijë moshatar me ty, mbase një gjyshe.
Bëni të mundur që të gjendeni të gjithë së bashku në një bisedë, përmes së cilës dhe prindi yt ta kuptojë që janë gjëra normale te të gjithë adoleshentët.
Këtij artikulli po i vjen fundi, por duhet t’i vendosim qershinë mbi tortë. Një këshillë për të gjithë adoleshentët.
E kam me ty që po lexon këtë faqe reviste: Prindi, pavarësisht gjithçkaje, të do të mirën! Prindërit janë të vetmit që mundohen të të mirëkuptojnë e të të këshillojnë, duke u bazuar në të mirën e së ardhmes tënde.
Nëse atyre komunikimin e ëmbël ua ka “hidhëruar” pak jeta , mundohu t’i kuptosh, nuk është faji yt. Në shumicën e rasteve fjala e ëmbël, e zbut dhe gurin!
Nga: Erma Xhameta